Adriatik Mema
Kryetar Bashkie, PS, Bashkia Skrapar
Z. Adriatik Mema është Kryetar i Bashkisë Skrapar. Që prej 14 shtatorit 2017 ai shërbente si Drejtor i Kabinetit të Ministrit të Brendshëm. Përpara se të merrte këtë detyrë, që nga Janari 2016, ai ishte Drejtor i Përgjithshëm i Standardeve të NATO-s dhe Modernizimit, në Ministrinë e Mbrojtjes, detyrë të cilën e mori pas përfundimit të Kolegjit Mbretëror për Studime të Mbrojtjes, 2014-2015, Londër, Mbretëri e Bashkuar. Më herët, zoti Mema ishte Drejtor i Përgjithshëm i Planifikimit Strategjik (2013-2014) dhe Drejtor i Përgjithshëm i Politikave të Mbrojtjes (2010- 2013), në Ministrinë e Mbrojtjes.
Më parë se të merrte këtë detyrë, në periudhën 2009-2010, ai ndoqi studimet Master në fushën e Sigurisë Europiane, në Naval Postgraduate School, Monterey, CA, SHBA. Në vitin 2007, ai përfundoi Kursin e Lartë për Studime të Sigurisë dhe Mbrojtjes, në Akademinë e Mbrojtjes, Tiranë. Në periudhën Tetor 2007 deri në Dhjetor 2008, zoti Mema ishte Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes. Gjatë shërbimit në Ministrinë e Mbrojtjes, zoti Mema ka kryer një sërë kursesh afatshkurtra kualifikimi, si: kursin e lartë ndërkombëtar të menaxhimit të burimeve të mbrojtjes (2013) në SHBA, kursin e lartë ndërkombëtar në fushën e negocimeve ndërkombëtare të mbrojtjes (2016) në SHBA, kursin e lartë ekzekutiv të sigurisë, në Qendrën Europiane për Studime të Sigurisë George C. Marshall, Gjermani (2017).
Në periudhën 2012-2013, zoti Mema, si përfaqësues i Shqipërisë, ka qenë bashkëkryetar i Komitetit të NATO-s për Përhapjen (organ i lartë këshillimor i Këshillit të Atlantikut të Veriut mbi përhapjen e armëve të dëmtimit në masë). Përpara se t’i bashkohej stafit të Ministrisë së Mbrojtjes, Zoti Mema ka qenë drejtor i Drejtorisë së Komisioneve Zgjedhore (2004- 2006) dhe Sekretar i Përgjithshëm (2006-2007) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Më herët (1999-2003), ai ka qenë koordinator dhe zëvendësdrejtor në Zyrën e Shqipërisë të Fondacionit Ndërkombëtar për Sistemet e Zgjedhjeve (IFES).
Eksperienca të mëparshme përfshijnë Drejtor i Drejtorisë Arsimore, Skrapar, (1995-1997) administratën lokale (1994-1995) dhe mësimdhënie. Zoti Mema, është diplomuar për Gjuhë Angleze, në Universitetin e Tiranës, në vitin 1988. Ai u lind në Skrapar, në 1967. Është i martuar më zonjën Violeta Mema dhe kanë dy vajza, Albora dhe Gleda.