Anastas Angjeli
Deputet, PS, Qarku Elbasan
Z. Anastas Angjeli lindi më 7 maj të vitit 1956, në qytetin e Sarandës. Angjeli mban disa tituj dhe grada shkencore në fushën e Financave Publike si doktor, docent, professor, etj. Ai është anëtar i Akademisë së Shkencave të Europës. Pas përfundimit të studimeve të larta në vitin 1980 në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë dega Financë, Prof.Angjeli emërohet pedagog i Financave Publike në po këtë fakultet, pozicion të cilin e mbajti deri në vitin 1998. Gjatë kësaj periudhe e deri në vitin 2005, z. Angjeli ka ushtruar disa funksione të larta shtetërore dhe qeveritare si zv/Ministër i Financave, Ministër i Financave, Ministër i Çështjeve Sociale dhe Ministër i Ekonomisë në qeveritë e drejtuara nga Partia Socialiste e Shqipërisë.
Prof.Angjeli ka dhënë kontributin e tij jo vetëm si lektor apo ministër në disa kabinete qeveritare, por kudo ku ka pasur nevojë për eksperiencën, profesionalizmin dhe kualifikimin e tij, deri në drejtimin e institucioneve ndërkombëtare. Në periudhën 1990-1991 z. Angjeli ka qenë Këshilltar i Kryeministrit në një grup prej 4 profesorësh për përgatitjen e tranzicionit ekonomik, nga ekonomia e centralizuar drejt ekonomisë së tregut. Në 1997-1998 ishte anëtar i Asamblesë Kombëtare për përgatitjen e Kushtetutës së Shqipërisë. Në periudhën mars 2004 – mars 2005 zv/Guvernator i BERZH-it, Londër. Në dhjetor të viti 2005 zgjidhet Kryetar i Bordit të Institutit Shqiptar për Reforma dhe Zhvillim. Prof.Dr.Anastas Angjeli është i zgjedhur deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë në pesë legjislatura dhe anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.