Ardit Konomi
Deputet, PS, Qarku Korçë
Z. Ardit Konomi ka lindur në Korçë, në 21 Prill 1971. Ai është martuar me znj. Anila Bitraku dhe kanë një djalë, Blinin. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe në vitin 1996 është diplomuar në Universitetin Shtetëror, Tiranë. Konomi ka qenë i angazhuar për një kohë të gjatë në shoqërinë civile dhe ka punuar me programe të ndryshme ndërkombëtare në Shqipëri dhe jashtë saj. Ka koordinuar dhe menaxhuar një sërë projektesh, ku mund të përmenden: “Rezerva Ndër-kufitare e Biosferës, Baseni Ohër-Prespë”, “Mbështetje për Menaxhimin e Qëndrueshëm Afatgjatë të Liqenit Ndërkufitar Skadar”, “Menaxhimi i Integruar i Ekosistemit në Basenin e Liqenit të Prespës në Shqipëri, Greqi dhe ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë”, “Zvogëlimi i Ndikimeve Medisore të Bujqësisë në Rajonin Ndërkufitar të Parkut të Prespës”, etj.
Ka punuar si ekspert i pavarur që prej muajit Korrik 2012 dhe aktualisht, i kontraktuar si profesionist i lirë nga punëdhënës të ndryshëm mbi bazën e kontratave afatshkurtra në fushat e ekspertizës, si: zhvillim dhe zbatim projekti, vlerësim projekti, vlerësim mjedisor, ngritje kapacitetesh, trajnim për edukimin mjedisor, etj. Prej muajit mars 2012 – maj 2012, Z. Konomi ka operuar si Konsulent Ndërkombëtar në Juba, Sudani Jugor, ndërsa prej prej muajit prill 2008 – qershor 2010, ka punuar si trajner për edukimin mjedisor në Projektin e UNICEF “Iniciativa për Edukimin Mjedisor të Drejtuar nga Fëmijët” – CLEEN. Karriera politike e Z. Konomi ka filluar në vitin 2013, kur pas kandidimit për deputet i PS në qarkun Korçë, është emëruar Prefekt i Qarkut, funksion të cilin është duke e ushtruar aktualisht.
Ai zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe atë italiane, si dhe ka komunikim të mirë në frëngjisht, greqisht, maqedonisht. Është bashkëthemelues dhe anëtar në disa organizata dhe forume civile, njëkohësisht mban tituj honorifikë në disa të tjera. Është gjithashtu autor dhe bashkëautor i dy platformave zhvillimore dhe një guide turistike. Është i dhënë pas sporteve, arteve të aplikuara dhe aktiviteteve rikrijuese.