Edi Rama

Kryeministër

Z. Edi Rama ka lindur në Tiranë, më 4 korrik 1964. Ai është i martuar me Linda Ramën dhe kanë tre fëmijë, Gregun, Rean dhe Zahon. Edi Rama ka një karrierë të larmishme në arte, sport, mësimdhënie, publicistikë dhe politikë. Ka qenë pedagog i pikturës në Akademinë e Arteve, lojtar i ekipit kombëtar të basketbollit, autor i librave “Refleksione” në bashkëpunim me Ardian Klosin, botuar fill pas rënies së diktaturës, dhe “Kurban”, botuar në vitin 2011. Po ashtu, Edi Rama ka botuar edhe dy libra arti me krijimet e tij në bashkëpunim me artistin e njohur Anri Sala, si dhe është autor e pjesëmarrës i shumë ekspozitave nëpër botë. Përfshirja e Edi Ramës në jetën publike dhe politike zë fill me lëvizjen për demokraci që rrëzoi regjimin komunist në Shqipëri, ku ai ishte një nga zërat më të spikatur publikë, por edhe një drejtues i njohur i lëvizjes studentore në Akademinë e Arteve.

Pas një largimi disa vjeçar jashtë Shqipërie, ku iu përkushtua jetës artistike, por kritik aktiv në shtyp i qeverisjes së parë post-komuniste, Edi Rama hyri në politikë si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitin 1998.

Në vitin 2000, Edi Rama kandidoi për Bashkinë e Tiranës me mbështetjen e Partisë Socialiste, duke shënuar një fitore të thellë ndaj rivalit të tij. Edi Rama u rizgjodh sërish Kryetar i Bashkisë Tiranë në vitin 2003 dhe 2007 dhe për 11 vjet drejtoi kryeqytetin e Shqipërisë.

 

Në vitin 2005, z. Rama u zgjodh Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, të cilën e udhëhoqi në opozitë dhe në fitoren e 23 qershorit 2013.

 

Në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, Edi Rama udhëhoqi socialistët drejt një mandati të dytë qeverisës.