Ismet Beqiraj
Deputet, PS, Qarku Fier
Z. Ismet Beqiraj ka lindur në Mollas, Mallakastër, më 10 Maj 1958. Ai është i martuar dhe babai i 4 vajzave. Ka kryer shkollën e mesme profesionale, “Teknikumi i Naftës” Ballsh, në vitet 1973-1977. Ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, dega Kimi Industriale, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në vitin 1982-1987, duke fituar titullin e “Kimistit Industrial”. Gjatë periudhës 2002-2004 ka kryer Shkollën Pasuniversitare (SHPU) pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti Tiranës.
Beqiraj është bashkëpuntor në shumë projekte studimore të Qendrës Kombëtare Shkencore të Hidrokarbureve Fier, në fushën e hartimit të kushteve teknike dhe normave të projektimit të objekteve të industrisë së naftës dhe gazit dhe të transportit, depozitimit dhe tregëtimit të lëndëve hidrokarbure dhe mbrojtjes së mjedisit. Ai është gjithashtu bashkëpuntor në Departamentin e Kimisë Industriale dhe Mjedisore, në Fakultetin e Shkencave Natyrore, Universiteti i Tiranës, për monitorimin dhe kontrollin e cilësisë së karburantëve dhe të lëndëve të djegshme të tregtuara në Shqipëri, për parandalimin dhe zvogëlimin e efektit të tyre mjedisor. Beqiraj është anëtar i PSSH që nga 12 Qershori 1991.
Ka një karrierë të pasur politike, i zgjedhur në forumet e PS të rrethit, të bashkisë dhe në qendër. Kryetar i PS të rrethit Mallakastër, 1991-1992. Gjithashtu, Z. Beqiraj ka qenë anëtar i Komitetit Drejtues dhe i Kryesisë së PS të rrethit Mallakastër, për vitet 1991-2001. Në vitet 1991 -1994 ka qenë antar i KPD. Më pas, ai është zgjedhur si sekretar i KZ të PS në njësinë bashkiake nr. 5, Tiranë, 2004-2007. Aktualisht anëtar i Asamblesë NJB Nr. 5 dhe delegat i Kongresit të PSSH deri në vitin 2015. Beqiraj ka një eksperiencë të pasur si teknolog nafte, inxhinier, inspektor, këshilltar dhe pedagog.
Për dy vite ka punuar si inxhinier reparti në kompaninë e shtetërore të naftës "ARMO" sh.a Fier, në Impiantin e Hidropastrimit, në KPTHN, Ballsh. Nga 2006–2008 ka punuar si pedagog i jashtëm në Departamentin e Kimisë dhe Kimisë Industriale & Mjedisore, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Tiranë. Prej 2008 punon si pedagog definitiv në grup-seksionin e “eknologjisë Kimike Organike, pranë Departamentit të Kimisë Industriale dhe Mjedisore në Fakultetin e Shkencave Natyrore, Universiteti i Tiranës.