top of page

Klotilda Bushka

Deputet, PS, Qarku Tiranë

Znj. Klotilda Bushka (Ferhati) ka lindur në Tiranë më 11 Prill 1979. Është e martuar dhe ka dy fëmijë. Ka studiuar në gjimnazin “Partizani”, Tiranë (1993 – 1997).

 

Në vitin 2001, znj. Bushka është diplomuar për drejtësi, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, me rezultate shumë të larta. Zotëron shkëlqyeshëm gjuhën angleze dhe italiane. Klotilda ka marrë pjesë në disa programe kualifikimi, ndër të cilat: Programi i avancuar trajnimi mbi administrimin e drejtësisë dhe efiçensën në menaxhimin e gjykatave, Asser Institute, Hollandë (2013 – 2014); Programi i trajnimit vazhdues, Shkolla e Magjistraturës (2008 – 2013); Praktika gjyqësore e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe zbatimi i saj nga autoritetet gjyqësore shqiptare, USAID, 2012; Trajnime të avancuara mbi zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve, të drejtën familjare, mosmarrëveshjet administrative, të drejtat e njeriut, etj,organizuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ABA/CEELI, Këshilli i Europës, (2002 – 2008), etj.

 

Znj. Bushka aktualisht është avokate. Ajo është anëtarësuar pranë Dhomës së Avokatëve Tiranë që në vitin 2003. Klotilda është anëtare e Këshillit Kombëtar për të Drejtat e Autorit, organ kolegjial pranë Ministrisë së Kulturës. Më parë, prej vitit 2008 e deri në Nëntor 2015, ajo ka kryer detyrën e këshilltares ligjore pranë Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë. Gjatë periudhës 2001 – 2008 ka punuar pranë studios ligjore ndërkombëtare “Tonucci”, fillimisht si juriste (2001-2003) dhe më tej si avokate e nivelit të parë (senior lawyer). Nga viti 1997 deri në Dhjetor 2000, Klotilda është angazhuar si koordinatore e Programit të Debatit – një program për nxitjen e lidershipit rinor, tolerancës dhe mendimit kritik pranë Fondacionit Soros, ku ka shërbyer dhe si anëtare e Bordit të Rinisë.

 

Znj. Bushka është anëtare e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Ajo është anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë që nga Korriku 2015 dhe kryetare e grupit të Këshilltarëve të Partisë Socialiste në këtë organ. Klotilda kryeson dhe Aleancën e Grave Këshilltare në Bashkinë Tiranë.

 

Ajo është aktiviste e shoqërisë civile që prej vitit 1997. Ajo kontribuon në këtë sektor me ekspertizën e saj ligjore për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht për përparimin e të drejtave të grave dhe vajzave në shoqërinë shqiptare si dhe për përfshirjen e publikut në vendimmarrje.  Klotilda ka qënë anëtare e Këshillit Kombëtar për Barazinë Gjinore, organ këshillimor pranë Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë; anëtare e grupit të punës së shoqërisë civile për krijimin e Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile si një mekanizëm bashkëpunimi midis këtij sektori dhe qeverisë shqiptare në procesin e zhvillimeve demokratike të vendit, mirëqeverisjen dhe rritjen e transparencës në vendimmarrjen publike (2013/2014); anëtare e Bordit Drejtues të Freja Academy, një organizatë ndërkombëtare, e krijuar nga një rrjet i gjerë i organizatave të shoqërisë civile nga Ballkani dhe vendet e Bashkimit Evropian (BE), me fokus forcimin e demokracisë nëpërmjet rritjes së pjesëmarrjes së shoqërisë civile në vendimmarrjen publike dhe në proceset integruese me BE (2011).

 

Znj. Bushka është autore dhe bashkëautore në disa botime me vlerë në fushën e drejtësisë dhe në atë sociale ku spikasin:

Libri Praktika gjyqësore e Gjykatës së Lartë përmes vendimeve unifikuese në të drejtën civile, administrative dhe penale”, botuar nga Gjykata e Lartë, me mbështetjen e Fondacionit Hanns Siedel, 2014;Zhvillimi i ligjit dhe praktikës së arbitrazhit në Shqipëri”, botuar në librin vjetor ndërkombëtar të Arbitrazhit, CYArb, 2014;Procesi i regullt dhe sistemi gjyqësor në Shqipëri ” – Përmbledhje punimesh të Konferencës “Europe beyond borders”, organizuar nga Viadrina University, Frankfurt Oder, Gjermani, 2003;Guida burimore “Mbrojtja nga diskriminimi gjinor në sektorin ekonomik”, botuar nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, 2012;  ribotuar në 2014;“Institucionalizimi i shërbimit të përkujdesit për fëmijët e moshës 0 – 3 vjec”, realizuar me mbështetjen e UNICEF Tiranë, 2014;“Manual për vlerësimin e Komunitetit mbi Qeverisjen”, me mbështetjen e UN Women, 2013, etj.

bottom of page