Milva Ekonomi

Deputet, PS, Qarku Durrës

Znj. Milva Ekonomi ka lindur në Tiranë në vitin 1962 dhe është nënë e dy vajzave. Ka kryer studimet e larta në Statistikë dhe Ekonomi nga Universiteti i Bujqësisë, dhe një Master në Administrim Biznesi ( MBA ) nga Universiteti i Tiranës. Ka kryer gjithashtu edhe formime të avancuara në fushën e statistikave ekonomike dhe sociale si dhe të manaxhimit në Byronë e Statistikave të Punës (SHBA), Eurostat (Luxemburg), Istat (Itali). Znj. Ekonomi ka qënë Zëvendësministre e Shëndetësisë (2013-2016). Ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Statistikave të Shqipërisë  gjatë periudhës 1994-2005, duke kryer një sërë detyrash që lidheshin me ngritjen dhe institucionalizimin e statistikave zyrtare në vend. Ka kryesuar Komisionin Kombëtar të Nomenklaturave dhe ka qenë për dy mandate anëtare e Byrosë së Konferencës së Staticienëve Europianë KEE/OKB. Në vitin 2006, ajo zgjidhet anëtare e panelit të ekspertëve të projektit “PARIS 21” (OECD), ku punon mbi lidhjen e statistikave zyrtare me të drejtat e njeriut. Punon në këtë projekt deri në fund të dhjetorit 2007.

 

Më pas, ajo u përfshi si ekspert kyç në Agjencinë Evropiane për Rindërtim (EAR) në Kosovë, në projektin mbi Mbështetjen në Sistemin Statistikor dhe Përgatitjen e Rregjistrimit të Popullsisë në Kosovë  2007–2008. Dha kontributin e saj si Këshilltar Afatgjatë i Statistikave Suedeze (Sida) në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ku punoi  gjatë viteve 2008 – 2013, në hartimin e legjislacionit statistikor dhe ndërtimin e Programit Zyrtar të Statistikave Kombëtare. Ajo gjithashtu ka punuar në projekte të ndryshme me Agjencitë e OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare si Eurostat, ILO, UNODC, World Bank, Dfid, dhe FMN. Ajo është anëtare e Institutit Ndërkombëtar të Statistikave (ISI) dhe Shoqatës Staticienëve të Ballkanit. Ajo është një nga themeluesit e Institutit Agenda, një qendër kërkimesh ekononomike dhe sociale, e themeluar në qershor të vitit 2006 në Tiranë. Përgjate viteve, ajo ka dhënë kontributin e saj në lëvizjen e gruas në Shqipëri duke qenë aktiviste në shumë nisma, por gjithashtu edhe në aksione të shoqërise civile.

 

Ajo ka shërbyer edhe si anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës për periudhën 2000-2011. Ka qenë lektore në Universitetin e Tiranës, Universitetit Bujqësor, si dhe në Universitetin “Zonja e Këshillit të Mirë”. Ajo ka shkruar disa botime në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e statistikave, zhvillimit social dhe ekonomik, si dhe të përkatësisë gjinore. Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe italiane, si dhe njeh gjuhën franceze.