top of page

Vasilika Hysi

Deputet, PS, Qarku Tiranë

Znj. Vasilika Hysi është deputete në Kuvendin e Shqipërisë, për qarkun e Tiranës, Kryetare e Komisionit të të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, Kryetare e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut. Ka titullin akademik ”Profesor”. Znj. Hysi ka lindur me 1963, në Tiranë, e martuar, me një fëmijë. Veprimtaria mësimore dhe shkencore. Studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike –Juridike, në vitin 1985 është diplomuar në degën Drejtësi me rezultate të shkëlqyera. Prej vitit 1985 deri në vitin 2009, ka qënë pedagoge me kohë të plotë në Fakultetin e Drejtësisë Universiteti i Tiranës. Gjatë periudhës 1993-2008 ka qenë e zgjedhur më detyra të ndryshme drejtuese administrative si përgjegjese e departamentit të së drejtës penale, dekane e Fakultetit të Drejtësisë. Gjatë periudhës 1998-2009, krahas detyrave administrative ka qënë e zgjedhur në strukturat drejtuese shkencore të ndryshme në Fakultetin e Drejtësisë dhe në Universitetin e Tiranës.

 

Ka dhënë kontribute në reformimin e arsimit juridik dhe kërkimit shkencor në universitet. Ka kryer kualifikime dhe specializime në SHBA, Itali, Francë, Gjermani, Hollandë etj për profesionet ligjore dhe mësimdhënien, në fushën penale, sistemin e drejtësisë penale për të mitur, kriminologji, krimin e organizuar, viktiminologji, të drejtat e njeriut, hartimin e politikave penale, etj. Është autore e teksteve mësimore universitare, e botimeve shkencore brenda dhe jashtë vendit në fushën e kriminologjisë, politikave penale, të viktimologjisë, studimeve të krimit dhe dënimit, të drejtësisë së të miturve, etj. Eksperte pranë organizave ndërkombëtare në fushën e kriminologjisë dhe politikave penale dhe të drejtave të njeriut. Veprimtare e të Drejtave të Njeriut. Krahas aktivitetit shkencor dhe akademik brenda dhe jashtë vendit, ka një veprimtari aktive në mbrojtje të të drejtave të njeriut, brenda dhe jashtë vendit. Gjatë periudhës Qershor 2000- Maj 2009 ka qënë drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe për më shumë se 5 vjet ka qënë anëtare e Bordit e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit.

 

Prej vitit 2002 është anëtare e Komisionit Evropian kundër Diskriminimit dhe Intolerencës (ECRI), Strasbourg, Francë. Gjatë periudhës 2009-2011 ka qënë e zgjedhur si Nënkryetare e këtij komisioni. 

 

Ka kontribuar në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, grave, të minoriteteve, te LGBT, edukimit më të drejtat e njeriut në shkolla, të drejtat e personave të privuar nga liria. Veprimtaria në fushën e politikës. Prej vitit 2009 është zgjedhur Deputete në Kuvendin e Shqipërisë, në Qarkun e Tiranës. Është kryetare e Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut, Kryetare e Nënkomisionit për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Shqipërisë dhe nënkryetare e Grupi Parlamentar të Partisë Socialiste. Si pjesë aktive e politikës, kontribuon jo vetëm në respektimin e të drejtave të njeriut në procesin ligjbërjes, por edhe gjatë ushtrimit të kontrollit parlamentar. Ka kontribuar në ngritjen e grupit të grave deputete, të grupit të deputëteve miq të fëmijëve. Kontribuon sistematikisht në pjesëmarrjen e shoqërisë civile në procesin e konsultimit publik të projektligjeve dhe përfshirjen e nismave të tyre për ndryshime të rëndësishme të ligjeve. Kontribuon në institucionalizimin e bashkëpunimit të Kuvendit me shoqërinë civile. 

 

Është propozuese e shumë ndryshimeve dhe përmirësime në Kodin penal, në ligjin e ndihmës juridike, në ligjin për të drejtat dhe trajtimin e personave të dënuar, për mbrojtjen me të mirë të të drejtave të grave, fëmijëve, personave me aftësi të kufizuar, minoriteteve, të huajve, LGBT, për parandalimin e diskriminimit dhe dhunës në familje, për mbrojtjen e viktimave. Si anëtare e Komisionit të reformës zgjedhore, mbështeti fort nismën e shoqërisë civile për përfshirjen e kuotës gjinore në listat e kandidatëve. Gjithashtu ka qënë antare e komisionit për Reformën në Drejtësi.

bottom of page